Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka mirëpritur kancelaren gjermane, Angela Merkel në qytetin hungarez, Sopron për të shënuar 30 vjetorin e rënies së Perdes së Hekurt.
“Pikniku Pan-Evropian”, shënon ditën gjatë së cilës të paktën 600 gjermanë lindorë kanë kaluar kufirin dhe kanë ikur në Perëndim.
Ngjarjet e kësaj dite konsiderohen kyçe për vetë rënien e murit tre muaj më vonë.
Merkel dhe Orban morën pjesë në një ceremoni të kishës ekumenike në Sopron, dhe pritet që më vonë të marrin pjesë në një konferencë të përbashkët.
Por pavarësisht se Orban dhe Merkel janë duke shënuar rënien e ndalesës historike në Evropë, çështja e menaxhimit të kufijve ka tensionuar marrëdhëniet mes dy liderëve.
Orban njihet si kritik i ashpër i vendimit të vitit 2015 të kancelares Merkel për të hapur kufijtë gjermanë për migrantët nga zona e konfliktit në Lindje të Mesme, ndërsa Merkel ka akuzuar Orbanin se ka dështuar të respektojë të drejtat e “njerëzimit” me politikat e tij të ashpra kundër migrimit./Opinion.al