Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike.
Mësohet se në pranga ka rënë 19-vjeçari i identifikuar me inicialet Xh. B., ndërsa në momentin e arrestimit i janë gjetur dhe sekuestruar 22 doza kanabis të futura në qese farmaceutike gati për shitje.
Mbi të riun rëndon akuza “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, ndërsa policia po vijon hetimet për të zbuluar dhe personat e përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike.
Njoftimi i policisë:
Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Sekuestrohen 22 doza lëndë narkotike Cannabis Sativa. Në pranga shpërndarësi i lëndës narkotike.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike në doza të vogla, kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh.B., 19 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik , shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 22 doza me lëndë narkotike Cannabis sativa të futura në qese farmaceutike gati për shitje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale” Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” parashikuar në nenin 283 të Kodit Penal./ Opinion.al E.Xh.