Valdrin Pjetri vazhdon të insistojë se nuk është arrestuar dhe as dënuar në Itali, pavarësisht se PD publikoi këtë të martë dokumentet. Në një reagim në rrjetet sociale, Pjetri thekson se është i pastër. Sipas tij, tani duhet të flasin autoritetet shqiptare dhe ato italiane.
“Unë të vërtetën time e deklarova para kandidimit si dhe para pak ditësh me dokumenta zyrtare. E vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjensive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD. Pres me padurim vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteve zyrtare shqiptare dhe italiane”, shkruan Pjetri.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar disa dokument që, sipas tij, i përkasin Kuesturës së Firencës në Itali dhe ku provohet dënimi i dhënë për Vladrin Pjetrin, kryebashkiaku në pritje i Shkodrës, 16 vite më parë.
Sipas dokumentit, Valdrin Pjetri është dënuar me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë. Ai u arrestua në flagrancë në Firence më 27 janar 2003, ndërsa u dëbua nga Italia më 4 shkurt 2003. Sipas dokumentit, Valdrin Pjetri u dënua më 21 qershor 2003 nga Gjykata e Firences Itali./ Opinion.al