Operacioni anti-informalitet në zonën e bregdetit, në Kune të Shëngjinit dhe Velipojë ka sjellë procedimin e 5 administratorëve subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim taksash” dhe po ashtu, ka proceduar penalisht 2 Drejtorë pranë Bashkisë Lezhë për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Gjithashtu janë liruar e 2500 metra katrorë hapësirë publike plazhi të zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Burime nga policia bëjnë me dije se janë konstatuar 5 subjekte që ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike, pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Lezhë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetasit N.K., Sh.L., E.L., L.K., dhe M.T., për veprat penale ” Fshehja e të ardhurave” dhe ” Mospagim i taksave”.
Gjithashtu, është proceduar edhe shtetasi A.N., me detyrë Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme, si dhe shtetasi S.T., Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Lezhë, pasi në kundërshtim me ligjin ka lëshuar leje ndërtimi në zonë të mbrojtur.
Aksioni ka vijuar në Velipojë, ku janë liruar 2500 m2, plazh i zënë në mënyrë të kundëligjshme nga dy subjekte.
Gjatë aksionit u sekuestruan 235 komplete (shezlongë + karrige + çadër plazhi), si dhe u proceduan penalisht shtetasit L.M. dhe SH.N., pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektet e tyre në zonën e Plazhit në fshatin Pulaj-Plazh, rezultoi se këta shtetas kishin zënë hapësirë publike rreth 2500 m2, duke vendosur përkatësisht 135 komplete shezlongë shtetasi L.M. dhe 100 komplete shezlognë shtetasja SH.N., të cilat u sekuestruan nga Policia. /Opinion.al