Më anë të një letre dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, në 1 gusht, PD ngre dyshime për pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, i cili u shpall fitues në votimet e 30 qershorit në Shkodër.
Sipas PD-së, Pjetri ka qenë i arrestuar ose i ndaluar në Itali në periudhën 2001-2002 dhe pas kthimit në Shqipëri, për tetë vite nuk ka udhëtuar më në drejtim të shtetit fqinj.
Nga ana tjetër në formularin e vetëdeklarimit që Valdrin Pjetri ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk rezulton të ketë shënuar ndonjë masë të marrë ndaj tij nga autoritetet italiane. Ajo që konfirmon Pjetri në formular është qëndrimi në Firence në periudhën 2001-2002 për studime universitare.
Ndërsa pyetjeve në kategorinë “të dhëna mbi gjendjen gjyqësore të personit” kandidati socialist i është përgjigjur të gjithave negativisht. Gjithsesi, Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme që të nisë menjëherë verifikimet mbi pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit./ Opinion.al