Çudirat nuk kanë të mbaruar në Shqipëri. I forti i Beratit, Lulzim Caka është liruar nga burgu 4 muaj e 22 ditë para kohe. Për këtë ka reaguar dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
“Sapo kam marrë dijeni, kam urdhëruar verifikimin dhe hetimin e çështjes me grup të përbashkët hetimi nga Drejtoria e përgjithshme e burgjeve, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje (SHKBB) dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë. Grupi i hetimit, gjatë orëve të natës ka kryer veprimet hetimore dhe proceduriale, në administrimin e provave, pyetjen e stafit administrativ, drejtorin e IEVP Lushnjë, kartelistin pranë këtij institucioni, shqyrtimin e dokumentacionit në IEVP Lushnjë dhe dosjes penale të të dënuarit Lulzim Caka. Në përfundim të këtyre hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Lulzim Caka është liruar nga IEVP-Lushnjë 4 muaj e 22 ditë përpara shlyerjes së plotë të dënimit, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhrit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë”, tha ministrja.
Sipas saj, si rezultat i shkeljeve të konstatuara është arrestuar në flagrancë, Judmir Shurdhi me detyrë Drejtor i IEVP-Lushnjë, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Po ashtu në pranga ka përfunduar dhe Llazar Mino, me detyrë kartelist pranë IEVP Lushnjë.
Gjjonaj tha se kishte urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të dy punonjësve të përfshirë në këtë ngjarje.
“Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është njoftuar menjëherë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Policia e Shtetit për revokimin e lirimit të të dënuarit Lulzim Caka dhe shpalljen e tij në kërkim për t’a rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, tha ministrja e Dritësisë./ Opinion.al