Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përfunduar dëshminë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çështjen “Toyota Yaris”.
Në një deklaratë për mediat në dalje të prokurorisë Basha tha se kishte dhënë informacione në lidhje me çështjen “Toyota Yaris”, madje më shumë se ato që ka dhënë në publik. Kryesisht Basha u tregua hermetik për detajt e dëshmisë së tij.
“Dhashë informacionet që kisha për këtë çështje. Edhe më shumë se kam bëre të njohura në publik. Sot në pranga duhet të ishte Taulant Balla. Pastrimi i parave të drogës dhe krimit është rreziku kryesor që i kanoset sot Shqipërisë. Është rrezik politik, ekonomik, shoqëror dhe për stabilitetin e vendit. Edi Rama dhe qeveria e tij janë vënë në shërbim të pastrimit të parave të pista të krimit. Të gjitha koncesionet dhe projektet e qeverisë janë pastrim parash të drogës dhe të krimit. Projekti i stadiumit është pastrim parash. Projekti i teatrit është pastrim parash. Projekti i Unazës është pastrim parash.
Morali i vetëm i Edi Ramës është paraja. Çdo qindarkë e vjedhur, do të gjurmohet nga qeveria e PD Edi Rama është një hajdut psiqik që ka vetëm një ideal, një aspiratë, një moral: paranë. Për para po grabit dhe shet gjithë Shqipërinë. Për para bën aleancë me krimin dhe me çdo kënd. Ne do ta ndalim. Ne do të ndjekim dhe gjurmojmë çdo qindarkë që Edi Rama dhe kriminelet po mundohen të futin në ekonomi. Çdo koncesion, çdo ndërtim, çdo kontratë do të gjurmohet për çdo qindarke, si për ata që e kanë dhënë edhe ata që e kanë marrë. Lufta kundër pastrimit të parave do jetë prioritet kombëtar.” u shpreh kreu i opozitës.
Dhënia e dëshmisë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda zgjati për rreth një orë e 30 minuta. Basha u pyet nga prokurorët shqiptarë të çështjes por edhe në prani të prokurorëve të ardhur nga Belgjika.
Në qershor 2018, 3,4 milionë euro u bllokuan në një makinë Toyota Yaris në portin e Durrësit. Për këtë çështje Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për katër persona të arrestuar, Edi Lika, Klevi Lika, Arben Ceka dhe Alban Mollaymeri, të cilët akuzohen për pastrim parash, armëmbajtje pa leje, falsifikim të monedhave dhe grup të strukturuar kriminal.
Në kërkim janë dhe dy persona të tjerë, kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi. Ata mendohet se janë porositësit e makinës Toyota Yaris ku u gjetën paratë. /Opinion.al