Në kuadër të luftës kundër informalitetit, drejtoria e Hetimit Tatimor në Vlorë ka nisur kontrollet. Madje sot në zonën e ‘Lungo Mares’ ka qenë vetë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj që ka inspektuar disa subjekte ndër të cilat dy janë mbyllur dhe një është gjobitur për mos lëshim kuponi.
Ministrja tha se shifrat tregojnë për një ndërgjegjësim të bizneseve në respektimin e ligjit dhe shtoi se kjo përgjegjësi duhet zbatuar për të qenë në mbrojtje të konsumatorit
“Kemi inspektuar gjithë zonën e bregdetit deri në Orikum dhe do të vazhdojmë me verifikimet. Shpresoj që të kemi rritur ndërgjegjësimin e bizneseve dhe për këtë flasin edhe shifrat. Sikundër e kemi nënvizuar gjithmonë qëllimi ynë nuk është vetëm kryerja e verifikimeve në terren, por edhe ndërgjegjësimi. Përgjegjësia e biznesit është përgjegjësia e kërkuar për të respektuar ligjin dhe për të qenë në mbrojtje të konsumatorit”, tha ministrja Denaj.
Megjithatë ajo kërkoi nga strukturat e Hetimit Tatimor që inspektimet të jenë më të shpeshta sidomos në mbrëmje kur ka më shumë aktivitet ekonomik pasi ka probabilitet të lartë për shkelje.
“Unë mendoj se kemi akoma shumë punë për të bërë, për të inspektuar të gjithë zonën deri në fund. Shpresojmë që të kemi zero gjetje, zero kupona në shkelje të ligjit dhe mbi të gjitha të kemi regjistrime të plota. Kërkoj që të ketë inspektime edhe natën, pasi ka më tepër klientelë dhe ka probabilitet më të lartë për shkelje të ligjit” tha ministrja. /Opinion.al