Një 36-vjeçare u vra me thikë nga bashkëshorti, pas një konflikti në prani të fëmijës 10-vjeç. Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre në periferi të Durrësit dhe mendohet se sherri ka nisur për motive xhelozie.
Hasbije Kuka nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra në trup, duke ndërruar jetë pak minuta pasi mbërriti në spital. Ndërsa bashkëshorti i saj Ardian Kuka 37-vjeç u largua nga banesa menjëherë pas krimit. Mësohet se bashkëshorti i të ndjerës, kishte shkuar në banesë për drekë, ku ka nisur të debatojë me bashkëshorten për motive xhelozie.
Në momentin e debatit ka qenë edhe djali i tyre i mitur, i cili ka vrapuar të njoftojë të afërmit mbi sherrin e prindërve. 10-vjecari mendohet të ketë kërkuar ndihmën e dajave, por kur kanë mbërritur ka qenë tepër vonë.
Familjarët e tyre e kanë gjetur gruan të shtrirë përtokë e të gjakosur, ndërsa autori i dyshuar ishte larguar. Të afërm flasin për konflikte të vazhdueshme mes bashkëshortëve, ku së fundmi 36 -vjeçarja kishte kërkuar urdhër mbrojtje.
Sipas mjekëve në spitalin e Durrësit viktima kishte marrë gjashtë goditje me thikë në pjesën e përparme të kraharorit, çka i ka shkaktuar edhe vdekjen/ Opinion.al