Bashkëshorti i këngëtares së shquar, Vaçe Zela është ndarë sot nga jeta. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur e bija Irma, përmes një mesazhi në Facebook.
Ajo shkruan se i ati vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ndërroi jetë në Shqipëri.
“Një yll më shumë iu shtua qiellit, për të ndriçuar edhe më fort pranë mamit.
Me pikëllim të thellë, sot kam barrën e rëndë t’ju njoftoj për largimin nga kjo jetë të babait tim të shtrenjtë, Pjetër Rodiqi.
Zoti e dinte dashurinë e tij të pafund për atdheun e dashur, prandaj edhe ia mundësoi ta kalojë këtë sëmundje të rëndë në Shqipërinë e tij të shtrenjtë, që nuk ia zevëndësuan dot kurrë as bukuritë e Vjenës, ku pat lindur, e as të Bazelit, ku për hir të dashurisë e përkushtimit ndaj familjes kaloi 21 vite të jetës së tij.
Unë e quaj veten vajzën më me fat në botë, që pata e do të kem gjithmonë në zemrën e në shpirtin tim një baba fisnik e me virtyte të rralla si ai.
Me dashuri e mirënjohje të pafund për gjithshka që babai im i shtrenjtë përfaqëson për mua e për këdo që ka patur fatin ta njohë.
Irma Rodiqi”, ka shkruar ajo.
Këngëtarja e shquar Vaçe Zela ndërroi jetë rreth 5 vite më parë në shkurt të vitit 2014. /Opinion.al