Samiti i BE që synonte të zgjidhte kandidaturat për postet më të rëndësishme të institucioneve europiane dështoi. Pas 16 orësh mbledhjesh kokë më kokë liderët e vendeve anëtare të BE nuk ja dolën të bindnin njëri tjetrin për një kandidaturë unifikuese. Posti më i debatuar mbetet ai i Kreut të Komisionit Europian. Kampet kryesore të partive më të mëdha nuk ishin të gatshme për kompromis, deklaroi Kryetari i Këshillit të BE, Donald Tusk në një konferencë shtypi pas samitit të cilin ai e cilësoi si të dështuar.
Megjithëse kancelarja Angela Merkel hapi rrugë për zgjedhjen e holandezit Frans Timmermans në krye të Komisionit, kjo kandidaturë tashmë ka hasur kundërshtimin vendeve të Vishegradit – Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia – së bashku me Italinë.
Këto vende mendojnë se Timmermans është tepër i majtë dhe i fokusuar tek kritikat ndaj mangësive juridike në Hungari dhe Poloni. Madje vetë kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, i cili është përjashtuar nga partitë kristiandemokrate për shkak të qëndrimeve të tij, pohon se ky post duhet t’i takojë kristiandemokratëve, si fraksioni më i madh në Parlamentin Evropian!
Frans Timmermans konsiderohet si person i përgatitur mirë për këtë post dhe Merkel do ta mbështesë përkundër rezervave në partinë e saj, sepse Timmermans i përket grupit të partive socialdemokrate. Negociatat janë komplikuar, sepse për shumicën e domosdoshme nevojiten tani katër blloqe politike dhe jo si tani dy. Kandidatura e Manfred Weber, që bazohet tek parimi se ai drejton grupimin më të madh politik në parlament është bllokuar nga presidenti i Francës Macron. Ky i fundit ka kritikuar BE-në se “po jep një shembull shumë të keq”, sepse nuk është në gjendje të arrijë marrëveshje për postin e Presidentit të Komisionit, Presidentin e Këshillit, Të Ngarkuarin për Politikë të Jashtme, Presidentin e Parlamentit dhe Presidentin e Bankes Qendrore Evropiane. Të paktën dy prej këtyre posteve duhet t’u takojnë grave.
Megjithatë kancelarja gjermane nuk e sheh situatën me pesimizëm. Ajo mendon se pavarësisht se njerëzit janë të lodhur nga mosmarrëveshjet, këto vendime duhen menduar mirë pasi me to do të jetohet në pesë vitet e ardhshme “Për historinë është e parëndësishme nëse marrëveshjen e arrijmë sot, apo disa ditë më vonë”, tha Merkel.
Samiti do të vazhdojë punimet të martën në orën 11. /Opinion.al