Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu mori përsipër këtë të mërkurë të bëjë një përpjekje për të ulur tensionet politike, duke iu bërë thirrje partive që të gjejnë një gjuhë për dialog.
Në një tryezë me disa intelektualë, përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe biznesit ai ka kërkuar një pakt kombëtar dhe një zgjidhje për situatën në interes të Shqipërisë e jo në kurriz të saj.
Moisu tha se kriza po përkeqësohet dhe se duhet një zgjidhje afatgjatë për të mos u përsëritur. Sipas tij, janë të patolerueshme nxitja e urrejtjes mes shqiptarëve për interesa partiake; veprimet e dhunshme ndaj institucioneve; përdorimi i shprehjeve luftënxitëse e përçarëse; retorika denigruese ndaj rivalëve dhe ndaj secilës palë politike; mungesa e dialogut.
“Kriza po përkeqësohet. Është koha për një zgjidhje në interes të Shqipërisë dhe jo në kurriz të saj. Koha për një zgjidhje afatgjatë për të mos u përsëritur krizat ciklike. Janë të patolerueshme nxitja e urrejtjes mes shqiptarëve për interesa partiake; veprimet e dhunshme ndaj institucioneve; përdorimi i shprehjeve luftënxitëse e përçarëse; retorika denigruese ndaj rivalëve dhe ndaj secilës palë politike; mungesa e dialogut. Këta faktorë kanë çuar në cenim të sigurisë së qytetarëve, dëmtojnë demokracinë e brishtë shqiptare, po cenojnë imazhin e Shqipërisë në botë. Veprime që bien ndesh me dëshirat e popullit për integrimin europian”, deklaroi Moisiu.
Në deklaratën e tij, ish-Presidenti u shpreh se shqetësimi është më i madh se si do të shkojë situata pas 1 korrikut.
Po ashtu ai ka prezantuar dhe një platformën për zgjidhjen e krizës, që në pika të përgjithshme i ngjan platformës së prezantuar nga opozita kohë më parë ku përfshihen ndryshimet kushtetuese të 2008, apo dhe zgjedhjen e Presidentit nga populli. / Opinion.al