Gjatë një interviste për “Radio Europa e Lirë”, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur ftesat e kryeministrit Edi Rama janë për të bërë propagandë, por jo për të gjetur mirëkuptimin mes palëve.
Basha tha se dosjet “339” dhe “184” kanë dëshmuar se Rama është i lidhur me grupet kriminale, përmes së cilave ka vjedhur zgjedhjet.
Gazetarja: Ndërkombëtarët në Shqipëri kanë kërkuar që kjo krizë të zgjidhet me dialog, po ashtu kryeministri Edi Rama ju ka ftuar për një dialog. Cila është përgjigja juaj ndaj një ftese të tillë?
Lulzim Basha: Ftesat për dialog që bëhen për sy e faqe apo akoma më keq për propagandë, nuk janë ftesa, por janë përpjekje për tu hedhur hi syve njerëzve. Në krizën aktuale në Shqipëri, është e qartë që shkaku kryesor është Rama, i cili për pushtetin e tij ka lidhur një pakt me krimin që dëshmohen qartë nga dosjet hetimore si 339 dhe 184. Disa gjëra dalin qartë nga këto dosje hetimore megjithëse vetëm pak minuta janë zbardhur. E para, që në shqipëri zgjedhjet janë vjedhur në të gjithë territorin, nga Durrësi në Dibër, nga Shkodra në Lezhë, në Vlorë dhe kudo rrjetet kriminale kanë bashkëpunuar me PS për të vjedhur zgjedhjet. Së dyti, që vjedhje e zgjedhjeve është bërë me të gjitha metodat, me blerjen e votave, me mbledhjen e kartave të identitetit, me ndalimin e votuesve të opozitës për të shkuar për të votuar, me frikësimine tyre, me presionin ndaj administratës publike dhe përdorimin e policisë së shteti./ Opinion.al E.Xh.