Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi i është përgjigjur deklaratave të Taulant Ballës duke i thënë të mos ëndërrojë një Shqipëri si e Enverit pasi ai nuk e emëron dot opoziten.
Më herët Taulant Balla foli nga Papri ku dhe deklaroi se PD-ja do të rilindte pas zgjedhjeve të 30 qershorit pasi të ikte Lulzim Basha.
Pas këtyre deklaratave nuk vonoi përgjigja në Twitter e ish deputetit Bardhi.
“Taulant, zgjohu nga gjumi! Mjaft ëndërrove per nje Shqiperi si te Enverit. Ti mund te emërosh shefa policie te lidhur me krimin, shefa te korruptuar tatimesh e doganash qe vjedhin shqiptaret për xhepin e rilindjes, por nuk ke për te emëruar dot opozitën!” shkruan ai.
Gazmend Bardhi paralajmëroi gjithashtu Ballën se ai do të dalë përpara drejtësisë bashkë me kryeministrin Rama duke ironizuar me këtë të fundit se pas detyrës së kryeministrit do të bëhet ‘rrobaqepës tek 313’, duke ju referuar burgut të Peqinit.
Kryeministri para disa kohësh deklaroi në emisionin opinion, ndërkohë që komentonte fjalët e Kujtim Gjuzit ndaj tij, se ndoshta në jetën e tij të tretë do të bëhej rrobaqepës.
“Ndërkohë, ka ardhur dita qe Edi yt dhe gjithë banda e tij, te dale para drejtësisë per krimet ndaj shqiptareve! Jeta e tij e trete është afër! Ne rastin me te mire, do te behet rrobaqepës tek 313!” shkruan Bardhi në Twitter. /Opinion.al