Kryetarja e grupit Demokrat në Kuvendin e Shqipërisë, Rudina Hajdari e cilëson si traumë kombëtare dhe dhunë anti-shqiptare zjarrin që iu vendos shkollës dje në Shkodër, brenda së cilës ishte vendosur KZAZ-ja.
Në një postim në rrjetet sociale, Hajdari shkruan se ka vendosur që pagën si deputete ta dhurojë për riparimin e dritareve të shkollës që u dogj dje në Shkodër.
“Djegia e shkollave në Shkodrën e kulturës dhe traditave ishte një traumë kombëtare dhe dhunë anti-shqiptare. Për këto arsye vendosa sot që pagën (rrogën) mujore t’a dhuroj për riparimin e dritareve të shkollës që u dogj dje në këtë qytet nga ata që nuk janë as demokrat dhe as socialist por thjesht servil të kryetarit dhe shpresojnë që në të ardhmen të shpërblehen me parimin: “Kush djeg dhe shkatërron më shumë bëhet drejtor ose doganier”. Le të jetë paga ime fillimi i një fushate ndërgjegjësimi nga çdo shqiptar që kërkon një Shqipëri si Europa” shkruan ajo.
Mbështetës të opozitës, së bashku me punonjës të Bashkisë së Shkodrës dhe ish deputetë të PD-së, u mblodhën të martën mbrëma në oborrin e Shkollës se Mesme “Shejnaze Juka” të Shkodrës dhe, pas disa minuta konfrontimi me forcat e policisë, i vunë flakën njërës prej klasave të katit të parë të shkollës, ku ishte vendosur Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas dëshmitarëve dhe pamjeve nga vendi i ngjarjes. E gjithë baza materiale e sjellë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përgatitjen e ditës së votimit u dogj.
Ish deputeti i PD, Bardh Spahija, i cili ishte mes protestuesve, tha se “Ishte vetëm fillimi i revoltës popullore, ndaj atyre që po u imponojnë shqiptarëve votime pa zgjedhje. Ishte një reagim i shpejtë i qytetarëve shkodranë. Kjo nuk është dhunë. Dhunë ishte tentativa e policisë së shtetit për të uzurpuar institucionet dhe duke iu imponuar qytetarëve të Shkodrës”./ Opinion.al