Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka biseduar përmes telefonit me kancelaren gjermane Angela Merkel lidhur me bllokimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për raportet dypalëshe si dhe situatën në rajon, thuhet në një njoftim të presidencës serbe.
Sipas njoftimi, presidenti serb Vuçiç, gjatë bisedës ka thënë se Serbia është plotësisht e angazhuar rreth dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, me qëllim të sigurimit të stabilitetit në rajon përmes një zgjidhje kompromisi të pranueshme për të dyja palët (Kosovës dhe Serbisë).
Gjatë bisedës, Vuçiç e ka falënderuar kancelaren Merkel për nismën e saj dhe të presidentit të Francës, Emmanuel Macron që të mbështesin këtë proces përmes samitit të mbajtur në Berlin dhe atij të planifikuar në Paris.
Megjithatë ai ka përsëritur se Prishtina duhet të heqë taksat ndaj mallrave serbe me qëllim të tejkalimit të ngërçit sa i përket dialogut.
Për këtë, Vuçiç ka kërkuar ndihmën e kancelares Merkel për të mundësuar qarkullimin e lirë të mallrave me Kosovën. Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, qëndroi për vizitë zyrtare në Berlin, ku u takua me kancelaren gjermane, Angela Merkel me të cilën bisedoi për dialogun me Serbinë, por edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën./ Opinion.al