Ditën e sotme avioni “Blue Express Panorama” nisur nga Tirana në orën 16.45 në drejtim të Romës ka bërë ulje emergjente në Pescara.
Sipas mediave italiane, shkak për uljen e avionit është bërë një sherr mes një 30-vjeçari dhe babait të tij.
I riu kishte nisur të bërtasë me zë të lartë ndaj pasagjerëve të tjerë dhe në një moment është kthyer nga babai i tij që ishte ulur pranë dhe ka nisur ta godasë atë pa pushim.
Sipas dëshmitarëve sherri ka zgjatur rreth 40 minuta, ndërsa për të ndaluar 30-vjeçarin është dashur ndërhyrja e pasagjerëve dhe personeli i avionit.
“Në fillim pata frikë sepse ai djali po kërcënonte pasagjerët duke u thënë se kishte një pistoletë. Ishte shumë i zemëruar, bërtiste fort dhe qëllonte me grushte në fytyrë të atin që përpiqej ta qetësonte. Kuptova që kishte nevojë të fliste sepse u kërkonte ndihmë grave italiane që ishin në fluturim. Thoshte se kishte një borxh prej 40 mijë eurosh dhe se i kishin marrë peng gruan. Vendosa të ndërhyj duke i thënë se si mund ta ndihmoja. I kërkova të më tregonte historinë e tij. Ata u qetësuan për disa minuta dhe unë po përpiqesha ta mbaja në bisedë edhe duke i tërhequr vëmendjen nga babai i tij i moshuar që vijonte ta godiste. I ofrova ujë dhe i shpjegova që nuk i kisha ato para në ato momente, por mund të flisnim për atë që kishte ndodhur. Unë punoj në një kompani që është lider në trajnime dhe jam mësuar se si të përballem me njerëzit. Në atë moment po bëhej më pak agresiv duke mos e ngacmuar të atin. I kërkova komandantit nëse mund të ulesha pranë tij në mënyrë që të flisja më mirë, por nuk më lejoi. Kishte shumë tension te pasagjerët, pati shumë frikë kur ai nisi të kacavirrej nëpër sedilje duke iu drejtuar fundit të avionit. Së fundmi u ulëm në Pescara kur në bord u ngjitën policët që e morën me vete” – rrëfen Simona Gori që ishte ulur vetëm disa sedilje larg nga shqiptari.
Pas uljes së avionit i riu është arrestuar nga policia, ndërsa babai i cili u dhuanu nga djali i tij u transportuar në spital. Avioni u rinis dhe u ul në Fiumicino rreth orës 19.30./ Opinion.al E.Xh.