Opozita proteston sërish! Sipas vendimit nga PD, protesta e radhës do të jetë në 31 Maj, ditë kur nis dhe fushata për zgjedhjet lokale.
Pas përfundimit të protestës së kësaj të shtune, kreu i PD-së mblodhi Këshillin e Kryetarëve, krerët e djathtë të bashkive dhe ish-grupin parlamentar të PD.
Siç duket këto ditë do të jenë intensive për negociata mes palëve, ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha edhe këtë radhë theksoi se ai futet në dialog politik vetëm me largimin e Edi Ramës, një qeveri tranzitore, e cila do të përgatiste vendin për zgjedhje të parakohshme. Basha tha se pa opozitën nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor.
Në katër letrat e tij publike dërguar Bashës, kryeministri Edi Rama thotë se kërkon dialog, por as ai nuk lëviz nga qëndrimi i tij: Nuk largohet dhe nuk shtyn datën e zgjedhjeve lokale.
Gjatë javës, Rama mblodhi grupin parlamentar ku theksoi se fushata elektorale e Partisë Socialiste do të nisë në datën 31 Maj.
Fushata e Partisë Socialiste do të çelet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku të pranishëm do jenë të 61 kandidatët e PS për bashkitë e vendit./ Opinion.al