Kyriakos Mitsotakis, kreu i partisë Demokracia e Re, që po drejton edhe frontin opozitar në Greqi, ka lëshuar deklarata të forta në lidhje me politikën e jashtme të Greqisë.
Ndër premtimet që ai ka bërë përpara elektoratit të tij kanë qënë edhe vendosja e vetos për Shqipërinë përsa i përket integrimit në BE. Kjo vendimmarrje sipas tij vjen sepse të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri nuk po zbatohen siç duhet.
“Do i qëndroj të drejtës për të vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe integrimit të Shqipërisë për në BE. Unë do të mbroj të drejtat e pakicës kombëtare greke. Dhe nëse nuk respektohen, Shqipëria të harrojë kursin e saj evropian” deklaroi ai gjatë një fjalimi në Selanik.
Nesër në Greqi do të zhvillohen zgjedhjet lokale bashkë me ato për Parlamentin Europian.
Athina zyrtare ka lëshuar deklarata të ashpra, pasi KQZ-ja nuk pranoi si kandidaturë për kryetar bashkie në Himarë Fredi Bejlerin. Po ashtu, “përplasje” kishte edhe për tabelat greke në zonat minoritare, të cilat u rivendosën, por me kushtin që lart të jetë shqipja, më pas greqishtja. /Opinion.al