Taulant Balla ka thënë sot nga Belshi se zgjedhjet e 30 qershorit nuk i luan as topi.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka folur sot në disa takime të mbajtura në zonat e Belshit dhe të Cërrikut.
Apeli i Ballës për strukturat e PS-së në këto zona ishte që të përgatiteshin për të mbajtur një fushatë të qetë dhe të bënin sa më shumë takime me qytetarët.
Sa i përket datës së zgjedhjeve, Balla ritheksoi se ajo është e vendosur me kushtetutë dhe nuk lëviz.
“Me 31 Maj starton fushata elektorale. Duhet të zhvillojmë një fushatë të qetë dhe të komunikojmë me njerëzit. Zhvillimi i zgjedhjeve me 30 Qershor është afat Kushtetues dhe nuk e luan topi. Kush do të tentojë të pengojë qoftë edhe një qendër votimi do të hasë në forcën e ligjit”- tha Balla.
Më herët kujtojmë se Presidenti Meta bëri thirrje se ishte i gatshëm të ndryshonte dekretin e datës së zgjedhjeve për ti shtyrë ato. Madje arriti deri aty sa ripërsëriti zotimin se ishte gati të linte dhe mandatin e presidentit në funksion të normalizimit të gjendjes. /Opinion.al