Hajri Seferi, anëtar i bandës së Shijakut, do të ekstradohet në Itali. Sipas informacioneve, Gjykata e Firences në 2016 ka dhënë masën arrest me burg për Seferin me akuzën e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Ditën e sotme, gjyqtari Paulin Qeraj i Gjykatës së Durrësit vendosi të miratojë kërkesën për ekstradim.
Nga ana tjetër, avokati Ardian Trakaj e ka kundërshtuar këtë vendim duke argumentuar se Hajri Seferi është aktualisht duke u gjykuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri, kështu që deri sa procesi i tij të përfundojë ai nuk mund të ekstradohet.
Kujtojmë se Hajri Seferi ra në prangat e policisë pas operacionit ‘Vol-vo 4’ me akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe krijimin e grupit kriminal.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Seferi ishte urë lidhëse dhe koordinonte punët mes katër grupeve kriminale. Nga përgjimet ai rezulton të ketë patur lidhje me Abedin Kuçin ne Sarandë të cilit i kishte siguruar disa herë lëndë narkotike. Gjithashtu ai rezulton të ketë patur kontakte me Armando Siporin, i cili është njohje e Astrit Avdylit.
Nëse Gjykata e Apelit të Durrësit vendos pro ekstradimit atëherë i mbetet në dorë e Ministres së Drejtësisë të vendosë përfundimisht për këtë çështje.
Kujtojmë se një rast i ngjashëm me këtë është ai i Nezar Seitajt për të cilin u vendos ekstradimi në Itali megjithëse po hetoej nga gjykata Shqiptare. /Opinion.al