Dy ish-presidentët demokratë, Bujar Nishani dhe Bamir Topi janë përplasur në distancë këtë të premte njëri me tjetrin. Topi në librin e tij “Nocturn”, tregon se e ka njohur Nishanin si punonjës i një pike karburanti dhe se e ka afruar ai në PD. Por Nishani në reagimin e tij thekson se Bamir Topi e sulmon për shkak të komplekseve të thella të inferioritetit.
“Të punosh pompist nuk është ndonjë gjë e keqe aspak. Kam respektin dhe nderimin tim më të madh për të gjithë ata shqiptarë të ndershëm që bëjnë atë punë. Ajo është shumë më e ndershme se sa p.sh. ti ushqesh fëmijët me paratë që ju merr si gjoba gjyqtarëve e prokurorëve. Por mua nuk më është dashur të punojë kurrë si pompist”.
Më tej Nishani tregon variantin e tij të futjes në politikë, madje dhe zbardh dhe debatet e brendshme të kohës kur Bamir Topi kandidoi si President i Republikës.
“I jam drejtuar drejt Bamirit duke i thënë : “nëse ti i ke votat (84) për tu zgjedhur President neve na ke të gjithëve në rresht pas teje, por nëse ti e çon Parlamentin drejt shpërndarjes dhe vendin në zgjedhje të parakohshme tre herë radhazi, duhet të marrësh përgjegjësi politike personale” ! U tmerrua nga kjo që i thashë, u ngrit në këmbë dhe tha se votat duhet ti gjente Sali Berisha dhe jo ai. Ne fakt duheshin një duzinë votash nga socialistët për të kaluar situatën e për këtë duhej kandidat dikush që ishte “as mish e as peshk” që të mos viheshin në pozitë shumë të rëndë ata socialistë që do të votonin kandidatin tonë për President”, thekson Nishani.
Ai tregon dhe momentet kur shoqërohej me Bamir Topin.
“Ky ishte Bamiri. Kur e kam njohur, fillimisht më vinte keq dhe nuk e kuptoja se përse elita e partisë e përbuzte dhe nuk e afronte. Rrinte gjithmonë i vetmuar tek një kioskë përballë selisë së PD. Më merrte në telefon dhe fillimisht shkoja t’i bëja shoqëri. Kur pashë se rrinte aty veç të hante një pjatë me paçe e një tas me pilaf dhe largohej pa paguar, mu pështiros. Pronarët e lokalit mund t’ja kishin ofruar “privilegjin” e paçes dhe pilafit falas por unë nuk e “gëlltisja” dot atë sjellje. Ndaj nuk ja vlente që unë ti kundërvihesha një njeriu që kishte veç tre karakteristika ; gënjeshtar, burracak dhe qelepirxhi. Këto janë në fakt karakteristikat e një individi me kompleksin e fortë të inferioritetit të cilit sot nuk i afrohen as vëllezërit e tij”, thekson Nishani./ Opinion.al