Aldo Baxhaku-Pas Luftës së Dytë Botërore diskursi ose thënë ndryshe retorika politiko – juridike pësoi një ndryshim thelbësor. Togfjalëshi shtet-ligjor u zëvendësua me shtet i së drejtës. Arsyeja ishte fare e thjeshtë, në emër të argumenteve ligjorë ishin justifikuar lloj e lloj veprash anti-njerëzore. Të drejtat e njeriut ishin shkelur në mënyrë të paprecedente, jo nga të gjithë, ama të gjithë e panë të arsyeshme që për të mirën e njerëzimit demokracia duhet të bashkë funksiononte me shtetin e së drejtës.
Në gjendjen e një krize të paprecedentë dhe paradoksale deri në njëfarë mase te demokracisë shqiptare kryeministri i vendit bëri sot një lexim të habitshëm të mënyrës se si funksionon institucioni i zgjedhjeve.
“Ka një parim, kush abstenon pranon që të tjerët të zgjedhin për të. Ti pranon zgjedhjen e të tjerëve përderisa nuk ka asnjë kuorum të caktuar nga ligji dhe nga kushtetuta”.
Kjo u tha gjatë argumentimit se nuk ka absolutisht asgjë të pamoralshme nëse zgjedhjet fitohen edhe nëse pjesëmarrja është shumë e ulët.
Të pamoralshme ndoshta nuk ka asgjë, po a është legjitime ama?
Sipas studimeve mbi sjelljen elektorale pjesëmarrja në votime ka një lidhje të drejtë me perceptimin pozitiv që ka popullsia ndaj demokracisë. Kjo nuk është gjithmonë e vërtetë por, gjithmonë sipas studimeve, gjen pothuajse gjithmonë vend në vende të vogla dhe me demokraci të reja siç është edhe Shqipëria. Pra nëse në këtu ne vërejmë një rënie të numrit të votuesve në mënyrë sistematike mund të themi se ka një problem tek besimi i qytetarëve ndaj demokracisë. E kur themi demokracia, ajo mbart brenda një sërë vlerash të cilat janë themelore për ekzistencën me dinjitet të njerëzve.
Por për kryeministrin kjo nuk ka shumë rëndësi përderisa Kushtetuta nuk e përcakton një gjë të tillë. E kujt i duhet të shikojë numrat në rënie të votuesve apo qoftë edhe të popullsisë, përderisa ti mund të zgjidhesh kryeministër edhe me një votë të vetme nëqoftëse je ti vetmi votues i zgjedhjeve, të paktë këtë thotë Kushtetuta.
Por problemi nuk qëndron vetëm këtu. Ky standard prej konstitucionalisti të betuar nuk zbatohet kur njerëzve i prishen shtëpitë, tjetërsohet prona publike apo emërohen edhe zyrtarë të lartë pa kurrfarë rregullash.
Le që c’ta zgjas me problemet që ka kryeministri me zbatimin e Kushtetutës kur institucioni mbrojtës i saj ka dy vjet që nuk ekziston dhe ajo është lënë e pa mbrojtur ndaj çdo nisme ligjore të një legjislativi apatik dhe në njëfarë mase të pa votuar, të paktën në mënyrë të vetëdijshme.
Zgjedhjet nuk janë thjeshtë veprim por mbi të gjitha një proces, i cili merr vlerë vetëm në një sistem demokratik, në të kundërt quhen diktat. E njëjta gjë vlen edhe për protestat. Ato nuk karakterizohen nga veprimet por nga vullneti, numrat dhe arsyeja se përse krijohen. Protestat së pari dëgjohen sepse janë në vetvete pjesë e mekanizmave të demokracisë që ndodhin jo shpesh për ti përçuar një shok sistemit se diçka po shkon keq në zbatimin e ligjeve.
Dritëshkurtësia me të cilën kryeministri sot përshkroi “kategorinë e lartë” të përfaqësuesve të medias ju kthye në bumerang. Jo vetëm për këtë lexim cinik të zgjedhjeve por edhe për standardin e ri që vuri në kuadrin e përgjimeve ku përfshihen të zgjedhurit e popullit.
“Përgjimet nuk përbëjnë asnjë lloj prove apo arsye për të lincuar njerëz në publik“ tha ai.
Megjithatë në Maqedoninë e Veriut, Poloni, Estoni, Kanada, SHBA e të tjerë, duke filluar nga ministrat e deri tek presidentët kanë dhënë dorëheqje ende pa dalë vendimi përfundimtar i gjykatave.
Meqë këtu u hidhkan bomba për një “Alo Nice“ imagjino çfarë do të ndodhtë nëse në një telefonatë të Trump, Macron ose Merkel do të kishim një “Alo Chapo“. Kjo do t’i mbesë imagjinatës por ama precedentët në botë janë në favor të dorëheqjes.
E meqë jemi te precedentët, pra faktet, por e mbyll me një thënie të Konicës, të cilin kryeministri e lëcit goxha nga sa na thotë: Nuk ka despotizëm më të keq se sa njëfarë idealizmi dogmatik, që përbuz si përvojën, si faktet dhe gjithçka tjetër që prisht simetrinë e thjeshtë të koncepteve a priori”.