Lëvizja Socialiste për Integrim, ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatë së Tiranës, e cila vendosi të lërë në burg 20 protestues të opozitës.
Sipas kësaj force politike, ky vendim tregon dhunën shtetërore të Edi Ramës ndaj qytetarëve shqiptarë.
Në këtë reagim, LSI është shprehur e vendosur se protestat kundër qeverisë “Rama” nuk do të ndalojnë.
Reagimi i LSI:
Mbajtja në burg e protestuesve të opozitës, është një akt tjetër më shumë që dëshmon dhunën shtetërore të komanduar nga Edi Rama, i cili i trembur nga frika e revoltës popullore, po përdor edhe drejtësinë njësoj siç bën me policinë, me shpresë se do të mund të ndalë uraganin e protestës qytetare!
Nga ana tjetër, është dëshmia e radhës e vendimeve të një drejtësie politike, që e vënë e gjitha nën thundrën e një pushteti të ngritur mbi krimin elektoral dhe që mbahet ende prej krimit të organizuar, po i shërben Edi Ramës me shpresë se ky do të mund ta shpëtojë vetingut!
Mirëpo, ashtu sikundër as bombat me gazlotsjellës e paralizues, ashtu sikundër as dhuna e shkopinjëve të gomës se policëve shërbëtorë të krimit e jo të ligjit, edhe vendimet politike të gjykatësve shërbëtorë të krimit e korrupsionit, nuk e trembin dhe as e ndalin dot shpirtin e revoltës dhe vendosmërinë e protestës qytetare, e cila do të permbushë misionin e vet me largimin nga pushteti të Kryeministrit peng të krimit, që për interesat e pushtetit të vet, po mban peng të ardhmen europiane të Shqipërisë!/ Opinion.al E.Xh.