Në rubrikën “Ka një mesazh me ty” u njohëm me historinë e Arbenit dhe Erginës. Një portret i një njeriu të shtrenjtë, bëri bashkë çiftin të cilët sot i dhanë një mesazh nënës së Arbenit, e cila ka mbetur e vetme në Lushnje që prej ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj dhe nuk pranon të transferohet në Tiranë.
“Jemi tre fëmijë, dy motrat që jetojnë jashtë dhe unë në Tiranë. Papritur 6 muaj më parë babai u sëmur nga hemorragjia cerebrale dhe shkuam në spital, por pas 21 ditësh ai ndërroi jetë,u prekëm të gjithë nga kjo ngjarje, u trishtuam. Mendova që të bëja një tatuazh ose pikturë për babain tim. Në Instagram shikoj një faqe pikturash me emrin “erginahoxhaart”. Vendosa për një pikturë,por për momentin isha i trishtuar dhe nuk isha i fokusuar tek fotot e Erginës. Pasi i shkruajta e takova për t’i dhënë fotografinë dhe më tha pas disa ditësh do të jetë gati. Pas disa ditësh takohemi përsëri për të marrë pikturën dhe qëndruam pak më shumë teksa më tregonte për detajet e punës. Kur ndahemi po më tërhiqte, sepse po mendoja se nuk do të takoheshim më dhe kisha disa ndjenja për të. Ajo më shkruan për pikturën një ditë më vonë dhe më pyet:”A të pëlqeu?”. Dhe kështu nisi historia jonë. Sot kam ardhur se dua ti themi nënës të jetojë me ne, nuk dua të jetojë më në Lushnje.” tregoi Arbeni.
Të njëjtën dëshirë shprehu dhe Ergina.
“Dua të jetoj me të, është e dashur dhe shumë e mirë”, tha ajo.
Nënë Naunka e pranoi ftesën e djalit dhe nuses së tij për të jetuar së bashku me ta në Tiranë, teksa u emocionua nga piktura që nusja i bëri dhuratë./Opinion.al