Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku thotë se Vlora është qyteti me kriminalitetin më të lartë në vend. “Rrethi me kriminalitetin më të lartë është Vlora. Kriminalitet të lartë paraqet Shkodra, Elbasani dhe qytetet e tjera më pas”, u shpreh Marku në një intervistë televizive
“Nuk mund ta them arsyen se pse. Asgjë nuk ndodh rastësisht. Ka shumë faktorë”, tha ajo e pyetur se pse Vlora ka këtë pasiguri.
Ndërkohë kur ishte e pranishme në Prokurorinë për Krimet e Rënda pak kohë më parë për analizën vjetore, kryeprokurja e përkohshme Arta Marku deklaroi se kjo Prokurori ishte kthyer në “supermarket”.
Marku ka sqaruar duke thënë se me këtë nënkuptonte shitjen dhe blerjen e informacioneve. Por kush ia shiste kujt dhe çfarë përfitonte nga shitja?
“Kjo është më se e kuptueshme, s’ka nevojë ta detajoj. Tregun se ndaj dot nëse është politika apo…mos e përjashtoni edhe median. Nga kushdo që e ka një interes për të pasur informacione”, tha Marku.
Në fakt, media ka interes të ketë informacion nga Prokuroria, sepse kjo është puna e saj dhe deri këtu nuk ka asgjë për t’u quajtur e paligjshme.
“Përgjegjësinë për rrjedhjen e informacioneve nga Prokuroria është e atij personi që e nxjerr dhe pikërisht për këtë ka një hetim për nxjerrje të sekretit hetimor”, thotë më tej Marku./ Opinion.al