Rrjeti social Facebook njoftoi se ka fshirë dhjetra llogari me origjinë nga Rusia. Kompania tha se këto llogari ishin të përfshira në “sjellje të koordinuar joautentike”, por nuk është e qartë se kush qëndronte pas tyre.
Kjo masë e Facebook-ut përfshiu gjithashtu llogaritë në rrjetin social Instagram.
“Ne gjetëm dy operacione të ndara me origjinë nga Rusia që përdorën taktika të ngjashme, duke krijuar rrjete të llogarive për të mashtruar të tjerët për atë se kush ishin dhe çfarë po bënin. Sjellja e koordinuar joautentike ishte pjesë e një rrjeti me origjinë nga Rusia që u përqendrua në Austri, vendet baltike, Gjermani, Spanjë, Ukrainë dhe Britaninë e Madhe “, tha, Nathaniel Gleicher, kreu i sigurisë kibernetike në Facebook.
Ai shtoi se Ukraina ishte fokusi i 97 llogarive në Facebook, faqeve ose grupeve të larguara nga rrjeti social, ndërsa postimet përfshinin zakonisht lajme lokale dhe politike, për konflikte ushtarake në Ukrainën lindore, luftën në Siri dhe politikën ruse.
Ky veprim është pjesë e përpjekjes më të fundit të gjigantit të mediave sociale për të shkurtuar numrin e llogarive të rreme që janë përhapur në platformë gjatë viteve të fundit.
Agjencitë amerikane të zbulimit thonë se Facebook dhe platforma të tjera të mediave sociale janë përdorur nga një kompani ruse e quajtur Agjencia e Kërkimeve në Internet për të mbjellë mosmarrëveshje dhe përhapjen e keqinformimit në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA.
Këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, paditi kompaninë, pronarin e saj të supozuar dhe disa të tjerë për përdorimin e tyre të rreme të Facebook-ut gjatë zgjedhjeve të vitit 2016./Opinion.al