Përmes një deklarate të Ambasadës në Tiranë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar për vdekjen e ushtares shqiptare Zafire Hasanaj në Letoni. SHBA i shpreh ngushëllime familjes, duke shtuar se nderojnë sakrificën e saj.
“Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllime për familjen dhe miqtë e Zafire Hasanaj, ushtaren e vrarë sot në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni dhe i urojmë shërim të shpejtë dy ushtarëve shqiptarë të plagosur. Ne nderojmë sakrificën e saj”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Efektivja Zafire Hasanaj humbi jetën pas shpërthimit të një mine, ndërsa dy kolegë të saj, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj, u plagosën. Efektivët, pjesë e grupit xhenier për demontimin e minave, po merrnin pjesë në misionin e NATO-s në vendin baltik për demontimin e minave luftarake./Opinion.al