Metodat e përdorura për mashtrim, me qëllim përfitimi, janë nga më të ndryshmet. Një 42 vjeçar është arrestuar këtë të hënë nga policia e Tiranës.
Ai prej kohësh, duke u hequr si polic, mashtronte qytetarët. Pas hetimeve dhe denoncimeve të shumta rezultoi se 42-vjeçari nuk ishte efektiv, por një mashtrues, i dënuar dhe më parë për vjedhje e mashtrim.
“Në numrin unik 112 ka ardhur një telefonatë nga një qytetar se në rrugën “Imer Ndregjoni”, një shtetas lëvizte me armë zjarri me vete dhe prezantohej si agjent i Policisë kriminale. Falë reagimit në kohë nga shërbimet e policisë është bërë konstatimi i shtetasit të denoncuar nga qytetarët në bazë të karakteristikave të dhënave”, njofton policia.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë, një dokument policie me gjeneralitetet A.Th. dhe pranga metalike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale./ Opinion.al