Partia Demokratike ka denoncuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ndërsa akuzon kryetarin Erion Veliaj se ka marrë vendime në kundërshtim me ligjin.
Në një konferencë për mediat Kreshnik Çollaku tha se në mbledhje janë miratuar 6 vendime që lidhen me administrimin, dhënien, përdorimin apo qiranë e pronave publike në Tiranë.
“Në bazë të ligjit të vetëqeverisjes vendore si detyrim kanë përcaktimin, në nenin 54/e të këtij ligji, votimin e tyre me një shumicë prej 3/5-ash nga këshilltarët bashkiakë. Në fakt rezulton, sikundër mund të verifikohet edhe nga pamjet e kamerave, se në momentin e votimit, të pranishëm janë 31 anëtarë të këshillit bashkiak, pra, shumë larg kuotës prej 37 votash të cilat detyron ligji vendimmarrjen për përdorimin e pronave publike”, deklaroi Çollaku.
Sipas PD-së ky akt bëhet që pronat publike në Tiranë, t’i kalojnë mafias dhe klientëve pranë kryetarit të bashkisë.
“E njëjta situatë ka tentuar të ndodhë dhe me një ngjarje tanimë të njohur, siç është ajo e pronës publike mbi të cilën ngrihet Teatri Kombëtar. Pikërisht për këtë shkak, këshilltarët e opozitës së bashkuar, kanë refuzuar pjesëmarrjen në çdo seancë të Këshillit Bashkiak, duke qenë se një ligj mafioz, i sponsorizuar nga klientët e Erion Velisë dhe të Edi Ramës”./ Opinion.al