Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me senatorin italian dhe përfaqësuesin e Partisë “Lega”, Manuel Vescovi.
Senatori është njëkohësisht dhe anëtar i Grupit të Miqësisë Itali-Shqipëri në Senatin Italian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka shprehur mirënjohje për kontributin e Italisë në proceset e rëndësishme në Shqipëri, siç është dhe integrimi në Bashkimin Europian.
Presidenti thekson se është i lumtur që persona nga komuniteti shqiptar në Itali kandidojnë në zgjedhjet europiane.
Postimi i Metës
Kënaqësi të takoja sot senatorin italian dhe përfaqësuesin e Partisë “Lega”, z.Manuel Vescovi, anëtar i Grupit të Miqësisë Itali-Shqipëri në Senatin Italian.
Mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të Italisë në të gjitha proceset e rëndësishme politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore në vendin tonë, si dhe për integrimin e shpejtë në Bashkimin Europian??.
I lumtur për rolin në rritje të komunitetit shqiptar në Itali, që veç të tjerave e tregon dhe kandidimi i përfaqësuesve të spikatur të tij në zgjedhjet e ardhshme europiane për forcat kryesore politike. Opinion.al E.Xh.