Të dielën e 28 prillit, pas një javë, do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë të cilat do të përtërijnë dy Dhomat e Parlamentit. Bëhet fjalë për zgjedhje të parakohshme, të caktuara që në shkurt nga kryeministri Pedro Sanchez, pas një krize të gjatë qeverisëse.
Sipas mediave spanjolle, do jenë pesë parti kryesore që do të vendosin fatin e qeverisë së re. Bazuar në sondazhin e fundit, socialistët e Sanchez do të marrin rreth 126 vende në parlament, Partia Popullore rreth 80 vende, Ciudadanos di Rivera parashikohet me 51 mandate, Podemos me 32 dhe Vox me 28.
Fragmentarizimi i tepërt e bën të vështirë formimin e një qeverie, që duhet të ketë të paktën 176 deputetë. Më e mundshme është aleanca mes socialistëve të PSOE, Podemos dhe disa partive të tjera më të vogla rajonale.
E gjithë Europa do t’i ketë sytë nga këto zgjedhje, pasi mbahen vetëm një muaj përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian./Opinion.al