Kushtoi 20 miliardë dollarë dhe është ura më e gjatë në botë që kalon përmes detit, por fluksi i madh i turistëve është shoqëruar me probleme të shumta për akomodimin e tyre dhe trafikun. Autoritetet pezulluan udhëtimet për 48 orë në fundjavë dhe vendosën edhe kufizime të tjera për të ulur numrin e turistëve.
Ura u hap në muajin tetor dhe lidh Hong Kongun dhe Makaun me Kinën. Ajo është ndërtuar që të durojë tërmete të magnitudës 8, tajfune dhe goditje nga anijet e mëdha të mallrave, ndërsa rreth 6,7 kilometra rrugë të urës janë nën ujë, për shmangien e trafikut të madh detar në zonë.
Deri tani ura është përdorur vetëm nga mjetet e transportit publik dhe ato të turistëve, ndërsa pronarët e makinave private në Hong Kong nuk kanë mundësi të kalojnë aty pa leje të veçantë.
Janë pikërisht banorët e Hong Kongut që e kanë kundërshtuar më tepër këtë projekt, pasi mendonin që qyteti i mbipopulluar do të “mbytej” nga turistët. Në vitin 2018, Hong Kongu u vizitua nga 56,7 milionë turistë./Opinion.al