Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ka hapur hetimet ndaj ish ministrit Ivan Teodosijeviç, lidhur me deklaratat e tij që mohojnë krimet e luftës në Kosovë.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zyra e Prokurorit të Shtetit tha se “tashmë ka nisur procesi i grumbullimit të informatave lidhur me këtë çështje, për të parë nëse fjalët e tij përmbajnë nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi në fillim të javës ministrin e Pushtetit Lokal në qeverinë e tij, Ivan Teodosijeviç, për shkak të gjuhës së urrejtjes, të shpalosur gjatë një manifestimi me rastin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave serbe.
Ministri Teodosijeviç, tha në një fjalim në komunën e Zveçanit në veriun e Kosovës se shkas “për agresionin u bë e ashtuquajtura katastrofa humanitare në hapësirat e Kosovës, trillimi i Reçakut, ndërsa janë pikërisht terroristët shqiptarë që i shpikën të gjitha, që kryen krime në Kosovë, para dhe pas agresionit të NATO-s”.
Deklarata të ngjashme kishte bërë edhe ish zëvendësministrja e drejtësisë, Vesna Mikiç, e cila po ashtu është shkarkuar nga kryeministri Haradinaj.
Beogradi i cilësoi shkarkimet si shkelje të lirisë së fjalës dhe trysni mbi pjesëtarët e komunitetit serb dhe ritheksoi mohimin e krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë.
Lista Serbe, subjekti politik nga radhët e të cilit është edhe ish ministri Teodosijeviç, e cilësoi fillimin e hetimeve si “vazhdim të politikës së frikësimit të të gjithë serbëve të lirë, që nuk janë lodhur kurrë në luftën për popullin e tyre dhe Serbinë e tyre, por as nga lufta e qartë për të vërtetën”.
Mohimi i krimeve nga zyrtarët serb ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, në një kohë kur vendi po shënon njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse çdo ditë përkujtohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe.
Për këtë shkak, qeveria e Kosovës hodhi nismën për hartimin e një ligji në bazë të të cilit do të dënohen të gjithë ata që mohojnë krimet e luftës në Kosovë./ Opinion.al E.Xh.