Teksa pritet nga dita në ditë ardhja në jetë e një tjetër bebeje mbretërore, dukesha e Sussex, Meghan Markle po merr në konsideratë mundësinë që të lindë në shtëpi.
37-vjeçarja që është në pritje të fëmijës së saj të parë, mësohet se do të ndjekë gjurmët e Mbretëreshës dhe nuk do të zgjedhë spitalin por shtëpinë, për të sjellë në jetë foshnjën.
Lindja në shtëpi është një traditë e familjes, pasi dhe vetë Mbretëresha erdhi në jetë në shtëpinë e gjyshërve të saj në Mayfair, dhe i lindi të katër fëmijët e saj në Buckingham Palace ose në shtëpinë Clarence.
Burimet shtojnë se Harry dhe Meghan nuk e përjashtuan mundësinë që lindja të bëhet në spital, pasi një grua që lind një fëmijë mbi të 35-tat ka rrezik për lindje të parakohshme ose për ndonjë ndërhyrje cezariane. Por mikesha e afërt e dukeshës thotë që Meghan praktikon jogën çdo ditë dhe është shumë e shëndetshme, kështu që nuk ka asnjë arsye që ajo të shkojë në spital.
“Është zgjedhje e saj, por gjërat do të varen nga momenti”, tha burimi.
Meghan po shqyrton lindjet pa shumë dhimbje, në një vaskë me ujë ose në pishinë, ndërsa mësohet se princi do të jetë pranë saj në çdo çast të lindjes./Opinion.al