Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Matthew Palmer ka zhvilluar një takim me gazetarët në Tiranë, ku ka thënë se nuk ka ardhur me një platformë për krizën politike.
Ndryshe nga sa u mendua fillimisht, Palmer konfirmon se ka ardhur në Shqipëri në vazhdën e turit ballkanik dhe se nuk ka asnjë platformë për të negociuar me partitë politike për zgjidhjen e krizës.
Gjithsesi, ai ka thënë se është përgjegjësi e opozitës të marrë pjesë në zgjedhje dhe se duhet të paraqesë kandidatët e saj.
“Nuk jam këtu për të negociuar për një platformë me palët. Është përgjegjësi e opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje, të ketë kandidatët e saj për zgjedhjet lokale. Të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Shqipëria ka një qeveri legjitime, për të cilën jam i sigurt se do të çojë përpara reformat. Nga ana tjetër, Shqipëria duhet të punojë ende për të luftuar korrupsionin”, ka thënë Palmer.
Palmer ka zhvilluar ditën e djeshme një takim prej 100 minutash me kryeministrin Edi Rama. Në muajin shkurt, pas protestës së dhunshme të opozitës para selisë së qeverisë dhe bërjes publike të vendimit për të “djegur mandatet”, zyrtari amerikan pati telefonata me dy drejtuesit kryesorë të opozitës, kryetarin demokrat Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës në atë kohë, se zoti Palmer “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë” si dhe të hedhin poshtë dhe të dënojnë publikisht gjithë dhunën./Opinion.al