Deri kur Saimir Tahiri ishte aktiv në politikë, ata të dy shiheshin si konkurrentë të njëri-tjetrit. Tani që Saimir Tahiri po përballet me drejtësinë dhe është larguar nga partia dhe drejtimi i Tiranës, Erion Veliaj thotë se mungesa e një individi nuk do të ndikojë në fitoren e Partisë Socialiste në kryeqytet.
Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” e pyeti se “Nëse do të jenë zgjedhjet normale në Tiranë, pra jo garë me një kandidat, a mendoni se largimi i Saimir Tahirit mund të krijojë probleme për Partinë Socialiste, konsiderohej një pikë e fortë në Tiranë?”
Veliaj është përgjigjur shkurt, duke thënë se ekipi është më e fortë se individi.
“Partia Socialiste është më e fortë edhe se unë, edhe se Saimiri, edhe se Blerina. Në PS jemi super të mobilizuar, jo vetëm për bashkinë por edhe për këshillin bashkiak sepse na duhet një shumicë që nuk e lënë punën dhe kjo është arsyeja pse Këshilli Bashkiak ka 100 kandidatë”, ka thënë Erion Veliaj në studion e emisionit “Opinion”./Opinion.al