Prokuroria e Tiranës ka reaguar zyrtarisht në lidhe me hetimin që ka nisur për kontratat e lobimit nga Partia Demokratike, ndërsa këtë të hënë në organin e akuzës kanë qenë: Lulzim Basha, Gazment Bardhi, Ilir Dervishi, dhe Arben Ristani.
Sipas prokurorisë objekt i hetimit është vërtetësia e shpenzimeve monetare të kryera nga subjekti politik PD, në fushatën elektorale të vitit 2017.
“Nga hetimi kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga subjekti PD, dhe shpenzimeve reale që ky subjekt ka bërë. Ky subjekt ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh”, thekson Prokuroria e Tiranës.
Nga letërporositë, e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia thotë organi i akuzës rezultojnë në mënyrë të qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, çfarë nënkupton se subjekti PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin.
“Nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD. Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade”.
Në daljen nga zyrat e Prokurorisë Basha deklaroi: “Hetimi është i hapur tashmë për 1 vit e gjysmë për çështjen e plotësimit të formularëve të deklarimit ne KQZ, pra po hetohet me kërkesë të PD, nëse këto formularë janë të plotësuar ne mënyrën e duhur, të gjitha gjerat e tjera janë gënjeshtra”.
Kreu demokrat vijoi: “Letërporositë nga SHBA dhe Skocia vërtetojnë që Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj, as në Shqipëri, as në ShBA, as në Britaninë e Madhe. Kërkoj që të bëhen publike këto përgjigje”./Opinion.al
LEXO EDHE: Kontratat e lobimit, Basha: Çfarë përfshin hetimi