Qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ka ndryshuar shumë herë në lidhje me Lulzim Bashën. Megjithëse marrëdhëniet e tyre nuk kanë qenë kurrë të qeta, Rama ka kërkuar gjithmonë që nëpërmjet komunikimit publik t’i relativizojë problemet që denonconte opozita.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, Rama e etiketonte Lulzim Bashën si një lider gjumash e përtac, e për këtë jepte shembullin e punëve të mbetura pezull në Tiranë. Gjithçka kulmoi edhe me spotin e fushatës elektorale, ku një aktor luante rolin e Lulzim Bashës që flinte në zyrën e Bashkisë së Tiranës.
Gjatë ngritjes së çadrës në vitin 2017, qëndrimi i Ramës u ashpërsua për pak javë, përpara se të niste një taktikë tjetër komunikimi. Pas marrëveshjes së 17-majit, Rama nisi ta quante Bashën si “djalë i mirë”. Kjo gjë u pa si një taktikë elektorale e kryeministrit, për të dhënë përshtypjen e një aleance paszgjedhore mes PS dhe PD. Gjatë fushatës ai përdorte tone të buta, gjithmonë duke e quajtur “djalë të mirë” dhe më e keqja që mund të thoshte ishte se nuk mund të presësh punë nga Basha.
“S’dua të flas për Lulin këtu se e keni dhëndër nga Tepelena… nuk është djalë i keq, por aq e ka… Po nuk mund të presësh nga Luli ndonjë punë”, thoshte Rama në Tepelenë vetëm 10 ditë para zgjedhjeve të vitit 2017.
Edhe pas zgjedhjeve, Rama vijoi të mbante të njëjtën linjë, deri sa në Parlament gjatë vitit 2018 do të përmendte për herë të parë epitetin “artist”. Këtë Rama e përdorte vazhdimisht si në statuset, ashtu edhe në fjalimet e tij, duke ironizuar Bashën për lëkundjet e shpeshta në qëndrimet politike.
“Është djalë i mirë. Është artist. Ka një aftësi të veçantë për të thënë atë që nuk mendon dhe për të menduar atë që nuk e thotë. Është artist pra. Është artist nuk diskutohet”, është një status i Ramës i vitit 2018.
Përpjekja e fundit e Ramës për t’u shfaqur miqësor me Bashën në publik, erdhi nga ana tjetër e Adriatikut. Në intervistën në “Rai Uno” më gazetarin Bruno Vespa, Rama e quajti “miku im Lulzim Basha”.
Sot duket se qëndrimi ka ndryshuar sërish. Rama paralajmëroi se nuk do ta toleronte më opozitën në veprimet e saj kundër demokracisë dhe kundër mazhorancës legjitime, duke e quajtur Bashën “lider pa hallate”.
“Një njeri e ka humbjen të shkruar në ballë, një lider pa hallate që djeg mandatin e përfaqësimit të popullit për tu fshehur mes turmës. Jam njëri si ju, tani ju përpara ikni dhe digjeni parlamentin për mua. Çfarë lideri është ky? Me mëngët e këmishës përveshur, një burrë që mendon vetëm për veten dhe që vetëm gënjen çdo njeri që i del përpara dhe zhgënjen çdo njeri që e ha”, tha sot Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste në sheshin “Nënë Tereza”./Opinion.al