Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur për herë të parë Presidentit Ilir Meta. Nga Kongresi i Partisë Socialiste në sheshin “Nënë Tereza”, Rama iu drejtua personalisht, duke i thënë se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe nuk ka asnjë rrezik për instalimin e një junte ushtarake.
“Po ta besojmë Monikën LSI nuk përfaqëson më as Ilir Metën. Ilir Meta ndihet kaq i papërfaqësuar sa i duket sikur një juntë ushtarake do sulmojë pallatin Presidencial. Zoti president e di që më dëgjon rri i qetë. Jemi dhe do të mbetemi gjithmonë vend i NATO-s. Nëse nuk më beso mua beso Pandin. Të garantoj se sa të kemi Pandin ky vend nuk del nga NATO. Dhe në fund të ditës fundi politik i Lulit dhe i Monikës nuk duhet të jetë problemi im, i yti dhe i yni. Dhe kërcënimit të sistemit demokratik të tyre Zoti President ne bashkarisht si vend i NATO-s do i përgjigjemi si ushtar në mbrojtje të demokracisë. Rri i qetë! Dhe mos i shko më në mend ato çudira se na hutove.”, tha Rama.
Ilir Meta tha disa ditë më parë se është gati të japë dorëheqjen e të vetëflijohet si ish-Presidenti i Kilit, Salvador Allende, për të shmangur instalimin e një junte ushtarake në Shqipëri./Opinion.al