Edi Rama ka bërë një ftesë për opozitën nga sheshi “Nënë Tereza”. Ai ka ftuar Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim të miratojnë reformën zgjedhore, të aplikojnë në disa zona që në zgjedhjet e 30 qershorit votimin dhe numërimin elektronik dhe të forcojnë Kodin Penal për shitblerjen e votës.
Nëse pas këtyre, PD dhe LSI fitojnë një bashki më shumë se Partia Socialiste në zgjedhjet e 30 qershorit, Rama premton të shkojë në zgjedhje të parakohshme që në vjeshtë. Në një kohë kur ata që kanë dorëzuar mandatet nuk mund të rikthehen në Parlament ligjërisht, Rama tha se këto ndryshime të votohen nga deputetët e rinj.
“Ne na vjen turp, për ju. Na vjen keq për të gjithë ata që ju i braktisët, që votuan për ju, jo për ne, duke refuzuar t’i përfaqësoni. Është e drejta juaj t’i tradhtoni kur i premtuat se do të jeni zëdhënësit e tyre në Parlament, turpin e historisë së , vetë zgjodhët të rrinit rrugëve, rrugëve të rrini! Por një ftesë unë e kam ende për ju, jeni ju që i keni rrokanisur kokën shqiptarëve dhe miqve ndërkombëtare për reformën zgjedhore e që e keni mbajtur kush e di sa kohë peng Shqipërinë për numërimin dhe votimin elektronik, hajeni të ulemi, ta miratojmë reformën. Që në qershor t’i eksperimentojmë në disa zona dhe jemi gati të miratojmë në Kuvend çdo masë që viktima e vjedhjes së votave doktoresha e shkencave horoskopike Monika Kryemadhi mendon. Ne e miratojmë me deputetët e rinj, që i keni zgjedhur ju, jo ne. Nëse ju në zgjedhjet e 30 qershorit, fitoni një bashki më shumë se ne, jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që në vjeshtë! E di që nuk do ta pranoni këtë sfidë, sepse prandaj keni ikur në rrugë. Aleancën e PS-së me njerëzit, nuk e mundni dot kurrë”, u shpreh Rama.
Ai më tej e konsideroi Lulzim Bashën një “lider pa hallate”, i cili edhe po të futet vetëm në zgjedhje, sërish nuk i fiton ato. Nga ana tjetër, tha se LSI nuk përfaqëson askënd, e madje as Monika Kryemadhi nuk përfaqëson Ilir Metën./Opinion.al