Shkodra është gati, ndërsa që prej mesditës së sotme atmosfera është elektrizuese. Kombëtarja shqiptare e futbollit do të ketë një mbështetje të madhe sonte në mbrëmje ndaj Turqisë.
Për këtë duel janë shitur rreth 10 mijë bileta, ku 1 mijë prej tyre i përkasin tifozerisë mike, asaj të Turqisë.
Ashtu si në çdo takim ku luan kombëtarja shqiptare, prezent në stadium do të jetë edhe tifogrupi “Tifozat Kuqezi”, të cilët do të qëndrojnë tek tribuna C5.
Tifozët kanë ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga diaspora. Nuk do të mungojnë në këtë përballje as plisat e Prishtinës, të cilët janë të kudondodhur ku luan kombëtarja.
Kjo është ndeshja e parë që Shqipëria luan për eliminatoret e Euro 2020-ës. Trajneri Panucci ka kërkuar qetësi maksimale për lojtarët e tij në prag të sfidës. Forcat e policisë janë pozicionuar pranë hotelit ku është akomoduar kombëtarja në Shkodër./Opinion.al