Një ditë pas protestës së opozitës, ku Lulzim Basha nuk ishte i pranishëm sepse ishte në Bruksel, ai ka pritur në selinë e Partisë Demokratike ambasadorët e huaj në Tiranë.
Fillimisht Basha ka pritur ambasadorin e Britanisë Duncan Norman, e më pas ambasadoren gjermane Susanne Schutz.
Nuk janë dhënë detaje lidhur me tematikën e këtyre takimeve, por mendohet se në fokus është qëndrimi politik i opozitës, protestat dhe pjesëmarrja në zgjedhjet lokale.
Gjatë protestës së 16-marsit Duncan Norman reagoi me anë të një mesazhi në Twitter, duke dënuar dhunën pasi ajo minonte demokracinë.
“Sot është një mundësi për të ushtruar të drejtën tuaj për të protestuar. Megjithatë kjo e drejtë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore; dhuna minon demokracinë. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të tregojnë përmbajtje, të respektojnë institucionet demokratike dhe parimet e një proteste paqësore”, shkruante ai më 16 mars teksa zhvillohej protesta e opozitës./Opinion.al