Partia Demokratike ka bërë padi kundër ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe disa punonjës të Policisë së Shtetit, për shpërdorim detyre dhe veprime të paligjshme kundër protestuesve.
“Është e provuar se gjatë zhvillimit të protestës Policia e Shtetit, duke shpërdorur detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion qytetarë, të cilët po protestonin paqësisht”- thuhet në letrën shoqëruese që Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës, ku kërkohet që Sandër Lleshaj dhe drejtues të policisë të pezullohen nga detyra.
Sipas PD-së policia nuk e ka respektuar qëllimisht standardin e përdorimit të forcës në mënyrë proporcionale dhe të drejtuar vetëm kundër personave që kryejnë shkelje të ligjit.
Por pavarësisht se ka bërë padi në Prokurori, kjo forcë politike hedh akuza dhe për organin e akuzës.
Sekretari i Përgjithshëm i PD thekson se, nëse Prokuroria do të sillej në mënyrë profesionale dhe të paanshme dhe jo si një vegël propagande e qeverisë, do te kishte nisur hetimet kryesisht, duke vënë përpara përgjegjësisë, të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, që kanë kryer veprime të paligjshme ndaj protestuesve./Opinion.al