26-vjeçari, Jurgen Kurti u qëllua nga një automjet në lëvizje, mbrëmjen e së hënës teksa ndodhej pranë banesës së tij. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:00, në rrugën “Zef Jubani”.
Në orët e para të mëngjesit të së martës, ekspertë të policisë shkencore kanë mbërritur sërish në vendngjarje, për të parë nëse zona mbulohet me kamera sigurie, por duket se do të jetë shumë e vështirë që të rindërtohet me saktësi ngjarja.
Paraprakisht mësohet se Kurti sapo kishte zbritur nga mjeti i tij për t’u futur në banesë kur është qëlluar nga mjeti që mendohet të ketë qenë në lëvizje. Mbi trupin e viktimës u gjetën disa plumba, ndërsa në vendngjarje 10 gëzhoja.
Jurgen Kurti nuk ishte një emër i panjohur, si për publikun ashtu dhe për drejtësinë.
Rreth 2 vite më parë ai u përfshi në një ngjarje në Durrës ku humbi jetën Agim Arapi, pronar i një minimarketi. Policia ka shoqëruar edhe disa persona të familjes Arapi në lidhje me ngjarjen. Por edhe pse ndaj tij u ngritën akuza për vrasjen e Arapit, nuk u dënua.
Ndërsa në prill të vitit 2016 ai u arrestua fillimisht i akuzuar për vrasjen e babait të tij Artur Kurti, por më pas u la i lirë, pasi për ngjarjen u dënua daja i tij, Leonard Ristani, i cili mori përsipër autorësinë e vrasjes./Opinion.al