Pentagoni ka paralajmëruar “pasoja të rënda” për marrëdhëniet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, nëse Ankaraja do të blejë një sistem rus raketash tokë-ajër (S-400). Zëdhënësi i Pentagonit, Summers tha se Turqia do të humbiste mundësinë të merrte armatimet ushtarake që SHBA-ja i shet këtij vendi, përfshirë dhe avionët e rinj luftarakë F-35, që priten prej kohësh të blihen nga Turqia, nëse Turqia merr sistemin S-400.
“Nëse Turqia e merr sistemin S-400, do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet tona ushtarake me ta. Nëse ata marrin S-400-n atëherë nuk do të marrin F-35-n dhe Patriots,” tha zoti Summers, duke iu referuar sistemit amerikan të raketave tokë-ajër “Patriots”, që ka si funksion parësor mbrojtjen kundër raketave balistike dhe është paraqitur si një alternativë ndaj sistemit rus të raketave S-400.
Uashingtoni i trembet faktit se radari i sofistikuar i sistemit S-400 mund të kompromentojë teknologjinë F-35 që u prodhua për të shmangur sistemet ruse të raketave. Ndërsa Ankaraja këmbëngul se S-400 ofron vlerën më të mirë për nevojat e saj dhe nuk përbën kërcënim për sistemet e NATO-s.
Më parë këtë javë, kreu i Komandës amerikane në Evropë Curtis Scaparrotti u tha ligjvënësve se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë përpara me shitjen e F-35-s, nëse Turqia blen S-400-n. Ndërsa vetëm një ditë më vonë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përsëriti angazhimin e tij për blerjen e sistemit raketor rus dhe sugjeroi se do ta zgjerojë blerjen me një sistem më të avancuar rus, S-500.
Ankaraja pritet ta marrë sistemin S-400 më vonë gjatë këtij viti me shpresën që ta vendosë në përdorim deri në vitin 2020-n./Opinion.al