Deputeti socialist, Ulsi Manja, e cilëson një blof politik ‘formulën e zgjidhjes’ të parashtruar nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimit që opozita pati me Drejtorin e Përgjithshëm për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Christian Danielsson.
Në një intervistë për “ABC news” , Manja thotë se Basha është i pabesueshëm dhe jo serioz në kërkesat për ndryshime kushtetuese dhe reformë elektorale, pasi nëse do të ishte kështu duhet tu bënte thirrje kandidatëve në listat e PD-së të marrin një orë e më parë mandatet parlamentare.
“Mjafton të lexosh atë deklaratë ashtu siç e ka thënë dhe provohet se ai është joserioz dhe i pabesueshëm. Nëse ai kërkon ato ndryshime kushtetuese dhe ligjore, nëse është i vërtetë, serioz dhe i përgjegjshëm për atë deklaratë që po bën, le të dalë në televizion dhe t’u bëjë thirrje deputetëve zëvëndësues në listat e PD të marrin një orë e më parë mandatet dhe të zënë vendet në Kuvend. Ndryshe të gjitha ato janë blof. Janë blof politik i një lideri opozite që nuk sheh përtej oborrit të shtëpisë së vet.
Nuk sheh asgjë përtej oborrit të shtëpisë së vet. Unë do ta besoja këtë që ai është i gatshëm për ndryshime kushtetuese e ligjore dhe të Kodit Zgjedhor nëse do dalë deri në darkë dhe t’u thotë deputetëve, sepse këto që ikën janë të djegur. Të dalë dhe tu bëjë thirrje deputetëve të listave dhe tu thotë se ne bëmë gabim që i dogjëm por ju shkoni dhe merrni mandatet dhe zini vendet në Parlament si deputetë të rinj të opozitës” deklaroi Manja.
Manja përforcon më tej qëndrimin e tij, teksa kujton se ndryshimet kushtetuese kërkojnë 94 vota Kodi Zgjedhor që kërkon 84 vota.
“Duhen vota në Parlament për ta votuar, duhen 84 vota. Ja e bëri qeveria tranzitore kodin, por me çfarë do ta miratojnë, me gjethe dushku?!”
Kryedemokrati, Lulzim Basha, deklaroi pas takimit me Danielsson se emergjente për Shqipërinë është një reforme e thellë kushtetuese. Regjimi i Edi Ramës ka mbaruar, u shpreh Basha, dhe për ta zgjidhur këtë situatë ai kërkoi vullnet politik./Opinion.al