Qeveria e Venezuelës ka njoftuar se do të dëbojë ambasadorin gjerman Daniel Kriener për shkak të mbështetjes ndaj udhëheqësit të opozitës Juan Guaido, i cili është përfshirë në një betejë politike me Presidentin Nicolas Maduro.
Ambasadori i Gjermanisë do të ketë 48 orë afat për tu larguar nga vendi me argumentin se ka ndërhyrë në vijimësi në punët e brendshme të Venezuelës.Urdhri i qeverisë venezuliane vjen pasi Kriener u takua me zotin Guaido të hënën në aeroport, kur ai u kthye pas një turneu jashtë vendit.
Juan Guaido, i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe 50 vende të tjera si udhëheqësi i përkohshëm i Venezuelës, u kthye të hënën nga turneu në katër vende të Amerikës Latine, duke shkelur një urdhër gjykate që i ndalonte atij udhëtimin jashtë vendit.Pas kthimit në Venezuelë, Guaido mori pjesë në një miting, ku bëri thirrje për largimin nga pushteti të Presidentit Nicolas Maduro.
Venezuela ndodhet në mesin e një krize humanitare, e cila pritet të keqësohet nga pasojet që do të kenë sanksionet amerikane ndaj naftës venezueliane. Përkrahësit e Guaidos thonë se rizgjedhja vitin e kaluar e Nicolas Maduros si President, i cili ka mbështetjen e Rusisë, ishte e paligjshme./B.K Opinion.al