Traileri i sezonit të tetë të “Game of Thrones” u publikua nga HBO dhe në vetëm 24 orë, arriti të ketë më shumë se 21 milionë klikime duke u kthyer në videon numër një në rritje në YouTube, në shumë vende të botës, përfshirë këtu edhe vendin tonë.
Premiera e sezonit final është më 14 prill por duket se seriali e ka thyer tashmë rekordin e tij.
Ajo që dimë për këtë sezon është se ky do të jetë sezoni i fundit, pasi në qershor të vitit 2016, presidenti i programacionit të HBO Casey Bloys deklaroi se sezoni i 8-të i Game of Thrones do të ishte dhe i fundit.
“Producentët kanë një ide shumë të qartë për numrin e sezoneve që do të bëjnë,” tha ai gjatë një deklarate për mediat. “Po të ishte për mua, do t’u kërkoja të bëheshin edhe 10 sezone më shumë. Por ne u besojmë atyre dhe aftësive të tyre për të bërë më të mirën për serialin”, tha ai.
Ky sezon mësohet se do të ketë vetëm 6 episode, prej rreth 80 minutash ose më shumë.
“Dy orë për episod duket shumë agresive, por Game of Thrones është një serial fantastik, prandaj, kush e di se ç’na pret?” tha Casey Bloys i HBO.
Kujtojmë se Game of Thrones është një serial televiziv amerikan i zhanrit dramë dhe fantazi. Seriali është një përshtatje e serisë të romaneve të zhanrit fantazi, “A Song of Ice and Fire”, të shkrimtarit George R. R. Martin, nga të cilat romani i parë titullohet “A Game of Thrones”.
Seriali është xhiruar në një studio në Belfast dhe në disa vende të tjera të botës si Kroacia, Islanda, Malta, Maroku, Irlanda e Veriut, Spanja, Skocia, dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa premiera u shfaq në HBO në Shtetet e Bashkuar më 17 prill, 2011. Seriali ka thyer rekorde shikueshmërie, dhe fitimet prej tij janë më të lartat për seriale të këtij lloji në histori. /Opinion.al