Kapet një shtetas polak në Kakavijë teksa ishte duke udhëtuar drejt Greqisë. Ai u paraqit në pikën kufitare të Kakavijës me një pasaportë false me emrin Dimitris K. nga Athina.
Burime nga policia thonë se 38-vjeçari dyshohet të ketë vrarë një vit më parë në kryeqytetin grek, Mihal Kapuranin. Policia dyshon se ky shtetas është vrasës me pagesë dhe kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri.
Njoftimi i Policisë
Në datë 05.03.2019 në dalje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit të Kufirit Kakavije, është paraqitur shtetasi me inicialet D.K, me pasaportë greke. Nga verifikimi paraprak i punonjesve të policisë së kufirit dhe migracionit në PKK Kakavije lindën dyshime se ky shtetas përdorte dokument të falsifikuar dhe shtetasi u shoqërua për verifikime në vijën e dytë ku gjatë shoqërimit kundërshtoi punonjësit e policisë.
Nga kontrolli dhe verifikimi i mëtejshëm rezultoi se ky shtetas posedonte pasaportën me të dhëna të ndryshuara si dhe pasaporta rezultonte e vjedhur në sistemin e Interpolit. Gjithashtu këtij shtetasi i janë gjetur edhe një kartë identiteti greke dhe nje leje drejtimi që dyshohet se janë të falsifikuara.
Nga veprimet e para hetimore, në bashkëpunim edhe me Z.Q.K Interpol Tirana, u bë i mundur verifikimi i identitetit të këtij shtetasi, i cili ishte shtetasi me inicialet D.R, shtetas Polak, i dyshuar si autor i vrasjes së një shtetasi shqiptar në vitin 2018 në Athinë, Greqi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 550 euro, pasaporta greke, leje drejtimi dhe leternjoftimi si dhe nje aparat celular.
Në përfundim të veprimeve hetimore, nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në D.V.P Gjirokastër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të mësipërm, për veprat penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave de vizave” , “Kalim i paligjshëm i kufirit” dhe “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 189, 297 dhe 242 i K. Penal./ Opinion.al